Biografia

Nijazi Thaçi

Nijazi Thaçi

“Popullariteti është sikur rinia, kur njëherë kalon më nuk kthehet.”

Shumë kohë para mbarimit të shkollës së mesme, Nijaziu e ka ditur se jeta e tij do të rrotullohet rreth muzikës dhe se kënga do të jetë ushqimi i vetëm shpirtëror. Si nxënës dëgjonte zhanre të ndryshme muzikore por popullorja në fakt e provokonte më shumë.

Arsyeja që të merret me muzikë ka qenë shumë e thjeshtë: përmes këngës t’ju thotë njerëzve që të largohen nga gjërat e shëmtuara, ti fshijnë nga mendjet e tyre imazhet e këqija, ti harrojnë brengat dhe ti kthehen bukurisë që afron kjo jetë.

Kjo punë është goxha e vështirë dhe të harxhon shumë energji por transmetimi i mesazheve përmes fjalive muzikore sikur ndikon dhe provokon fuqishëm arsyen njerëzore për të kuptuar se kjo botë është përplot gjëra të bukura dhe përplot pasuri.

Jeta e tij ka kuptim vetëm kur ai këndon. Kënga ekziston në te dhe jeton me te. “Ai qi s’knon nuk g’zohet kurrë“ është një thënie e vjetër. Kënga e sjell Nijazi Thaçin në një gjendje shpirtërore të veçantë me plot pozitivizëm: “dëshiroj të bëhem njeri i mirë, të jem i kujdesshëm ndaj të gjithëve përreth, të gjithë ti shikoj të lumtur, të mos ketë urrejtje, mashtrime, fjalë boshe, ….” thotë ai.

Bashkëpunimin me grupin muzikor “Margaritarët” e ka filluar në fillimshekullin e njëzetenjë. Gëzon respektin e duhur nga të gjithë anëtarët. Nga ata vlerësohet si një këngëtarë me përvojë, komunikativ, i palodhshëm dhe kreativ.

Me një interpretim bindës ai karakterizohet jo vetëm si “motori” i timbrit vokal por edhe si hijeshia e paraqitjes skenike.

Abdullah Baftiari - Dulla

Abdullah Baftiari - Dulla

“Njeriu i cili nuk ndryshon qëndrimet e veta nuk është qenie njerëzore, por statujë.”

Është muzikant autodidakt me talent të jashtëzakonshëm. Nuk ka studiuar as shkollë muzike, nuk ka marrë as leksione private. Gjithçka që ka mësuar dhe luan e ka arritur në saje të veshit që ka për muzikën, dhe falë praktikës së kryer gjatë kësaj kohe.

Ndërtimi i trupit të tij, kraharori i gjerë apo më saktë anatomia e mushkërive dhe organeve tjera të frymëmarrjes dëshmojnë qartë se ky njeri i takon frymorëve. Fyelli, klarineta dhe saksofoni janë mjetet e tij të punës.

Interpretimi i tij është gjithmonë i pastër. Tingulli i tij vjen i plotë, ekspresiv kurse artikulimi i qartë dhe frazat përplot lirizëm.

Abdullah Baftiari dallohet me paraqitjen e tij të bukur dhe të autoritetshme të cilës publiku i bindet dhe i beson. I rrethuar me një aureole ai reflekton guxim, siguri dhe fuqi interpretuese.

Posedon aftësi organizative, kreative dhe komunikuese andaj në këtë veprimtari luan edhe rolin e “ministrit të punëve të jashtme” sepse takimet, pazarllëqet, marrëveshjet, ujditë dhe kontratat me adhuruesit dhe dashamirët i realizon në mënyrë shumë racionale dhe efektive.

Përveç muzikës nga e cila ka përfituar shumë, një pasion i zjarrtë për Dullën është edhe peshkimi. Ky lloj aktiviteti i ka ndihmuar që të mësojë se natyra e nënqiellit tonë është tepër e larmishme, e pasur, e bukur dhe e veçantë.

Fatmir Leka

Fatmir Leka

“Televizioni? Asgjë nuk rezulton nga kjo, sepse gjysma e kësaj fjale është greke ndërsa gjysma latine.”

Ky muzikant është margaritarë i vërtetë. I veçantë, i shkathët, i zhdërvjelltë dhe mendjehollë, Fatmiri muzikën e ka të vetmin pasion. Edhe kur nuk merret me muzikë, ai dëgjon muzikë, flet për muzikën ose qëndron në mesin e muzikantëve.

Muzikën nuk e shikon por e dëgjon. E dëgjon me vëmendje dhe në dëgjim të parë jep vërejtjet, sugjerimet dhe kritikat e shumta.

Në mënyrë patologjike i urren kuazimuzikantët dhe ata që i promovojnë si yje, si vlera, si ikona. “Si mund ti thotë vetes muzikant një njeri që ka mësuar vetëm dy akorde, dy melodi, dy refrene?! Si mund të vetëquhet producent muzikor ai i cili akoma nuk e din dallimin në mes violinës dhe mandolinës?!”

Mllefi i tij është shumë i madh për atë që ndodh në botën tonë të muzikës. Kitara dhe baskitara janë zemra dhe shpirti i tij.

“Fender” është një fjalë që e provokon shumë, andaj përpos baskitarës me këtë emër ai ka edhe orën, këmishën, rripin, bile edhe çorapet.

Humori i tij i hollë përplot batuta e gjallëron së tepërmi jetën kolektive të grupit.

Si njeri universal dhe kozmopolit, Fatmiri është nga ata që jo vetëm e ëndërrojnë jetën, por që e jetojnë edhe ëndrrën.

Ismail Dalifi

Ismail Dalifi

“Natyra na ka dhuruar dy veshë dhe një gojë, më tepër të dëgjojmë dhe më pak të flasim.”

Është një baterist shumë i respektuar, një muzikant i saktë, i përpiktë, korrekt, i dëgjueshëm, i heshtur në kuptimin e të folurit, por shumë i gjallë në kuptimin e luajtjes në instrument.

Kur shikon këtë artist duke interpretuar me ndjeshmëri thekset dhe vijat ritmike, figurat dhe ornamentet origjinale, dinamikën dhe pulsin muzikor, të krijohet përshtypja sikur elementet e baterisë së tij dialogojnë, debatojnë ose thjeshtë flasin një gjuhë të veçantë.

Shumë këngëtarë e kanë thënë me shumë transparencë se Ismaili është baterist i pakonkurencë dhe, se ndihen tepër të rehatshëm në skenë kur pas vetes kanë një njeri të tillë që të shoqëron me shumë siguri.

Nuk çon pluhur, nuk krijon tensione, nuk hidhërohet, nuk kundërshton dhe nuk përgojon. Ismaili posedon virtyte të larta njerëzore: i drejtë, i njerëzishëm, i moralshëm, i urtë dhe fisnik. Si i tillë pjesën më të madhe të kohës e kalon në xhami .

Se sa i vlefshëm është ky baterist e kupton vetëm atëherë kur mungon.

Bekim Ramadani

Bekim Ramadani

“Leximi dëmton sytë, mirë shohin vetëm analfabetët.”

Bekim Ramadani është një muzikant i dalluar dhe iluminist. Si artist me kulturë të përgjithshme dhe përvojë të madhe muzikore posedon vizion të qartë.

Talenti i tij ka spikatur vetëm në saje të një pune të madhe titanike, këmbëngulëse, sfilitëse e të pandërprerë.

Me pasion dhe virtuozitet ekzekuton tingujt muzikorë të cilat me vargëzimin e tyre, formojnë një harmoni të plotë e të thellë, të ashpër e të rreptë, të ëmbël e të brishtë, të gjerë e të ngrohtë.

Ka një intuitë të pasur sepse frazës së vlerësuar në vetvete, përmes tastierës (fisharmonikës dhe synthesizerit) dinë t’i japë forma të ndryshme dhe si rrjedhim edhe efekte të ndryshme.

Zhdërvjelltësia e stilit, fantazia krijuese dhe shpirti i ngrohtë e i ndjeshëm prej artisti, e ka bërë Bekim Ramadanin kundrues të bukurisë së rrallë. Ai arrin ta kuptojë “tërësinë“.

Dashuria për artin, për familjen, për mikun, për fenë, për shokun, për gjithçka që e frymëzon drejt përsosjes si njeri dhe si artist është një nga tiparet më të fuqishme të tij.

Me një buzëqeshje të papërcaktuar, shprehje të thellë të tipareve, superioritet melankolik dhe ëmbëlsi misterioze, Bekimi latent është gjithmonë në kërkim të interesantes dhe të panjohurës.

Nurie Podvorica

Nurie Podvorica

“Më ruaj Zot nga miqtë, sepse nga armiqtë mbrohem vet.”

Nurie Podvorica është një këngëtare me inteligjencë të lartë muzikore e cila ka përfituar shumë eksperiencë nga bashkëpunimi me artistë të vendeve të ndryshme.

Dhuntinë ia ka dhuruar Zoti ndërsa profesionin arrin ta menaxhojë vetë.

Posedon një vokal të plotë, të pastër dhe mjaft depërtues me një shtrirje diapazonale prej dy oktavash.

Është tepër mirënjohëse për të gjithë ata që i kushtojnë kujdes dhe respekt. Veprat e mira i kujton gjithmonë të freskëta ndërsa të këqijat nuk i harron asnjëherë.

Nurie Podvorica ka një karakter tipik llapjan. E ndërgjegjshme, e përgjegjshme, besnike, pedante dhe punëtore e vyeshme.

E don veten por më tepër të vërtetën.